SHBA, zbulohet “parajsa fiskale”e shtëpisë Brawn


NEW YORK -Në Amerikë, aty ku shteti i detyron të gjithë të respektojnë ligjet, ata që nuk paguajnë taksa përfundojnë në burg. Apo jo? Eh, po deri në njëfarë pike ama. Një çift amerikanësh kanë disa muaj që janë mbyllur në shtëpinë e tyre, që tashmë është rrethuar me barrikada dhe duket si një fortesë, për të mos i paguar shtetit detyrimet. Ata mbahen nën vëzhgim gjatë gjithë ditës nga agjentët e FBI-së. Çifti i çuditshëm banon në Plainfield, një vend i vogël me rreth 2.200 banorë në New Hampshire. Ajo quhet
Elaine Brawn, është një dentiste 66-vjeçare dhe madje ka edhe një studio ngjitur me vilën barrikadë. Bashkëshorti, Ed Brawn, 64 vjeç, duket si një personazh që sapo ka dalë nga filmi “Gjahtari”, me Robert de Niron, edhe pse është vetëm një “gjuajtës minjsh” në pension, një punë shumë e rëndësishme për amerikanët, që për ta bërë edhe më fisnik profesionin e përshkruajnë atë me emrin kërcënues, “shfarosës minjsh”.
Mbyllja e tyre në shtëpi është bërë sepse të dy bashkëshortët, për arsye parimore, refuzojnë të paguajnë taksat duke nisur që nga viti 1996. Edhe pse kanë siguruar të ardhura të konsiderueshme, Ed dhe Elaine nuk kanë paguar taksat dhe as kanë paraqitur deklaratën e pasurisë. Sipas inspektorëve, të ardhurat e padeklaruara arrijnë në 1 milion e 900 mijë dollarë. Në një moment të caktuar, pasi zoti dhe zonja Brawn refuzonin vazhdimisht postën që u sillte faturat e papaguara dhe deklaratën e të ardhurave, nisi edhe procedura penale. Por që nga ai moment, asnjë prej të dyve nuk është paraqitur para gjykatësit, që i ka dënuar ata me pesë vjet heqje lirie. Por Ed Brawn, pasi ka hedhur në koshin e plehrave edhe letrat e gjykatës, dhe që si shume amerikanë të tjerë mban në shtëpi edhe armë për vetëmbrojtje të ligjshme, e ka kthyer shtëpinë e tij në një fortesë dhe ka vendosur para saj barrikada të shumta për të mos lejuar ndërhyrjen e policisë. Ai ka vendosur edhe një pankartë ku shkruhet: “Pronë private. Ndalohet hyrja. Do të qëlloj nëse ndodh një gjë e tillë”. Dhe për shkak se ai, ashtu si dhe bashkëshortja e tij kanë shë-njestër të mirë dhe sipas ligjit amerikan mund të hapin zjarr nëse u rrezikohet je-ta, saga e dy të akuzuarve për evazion fiskal vazhdon ende.
Ndërkohë, autoritetet kanë marrë masa të buta për t’i bindur ata të dalin jashtë, si ndërprerja e energjisë elektrike, të cilën ata e kanë zëvendësuar tashmë me energji diellore, ndërsa u kanë ndërprerë edhe postën, lidhjen me internetin dhe telefonin fiks.
Por çifti ia ka dalë të komunikojë me të tjerë nëpërmjet Bluetooth-it dhe telefonave celularë të parapaguar. Policët e armatosur nuk mund të hyjnë në pronën e tyre private dhe aq më tepër të hapin zjarr, ndërsa skuadrat e FBI-së, që i ruajnë ata prej muajsh, herë pas here i afrohen zonës. Urdhrat e drejtuesve të tyre, siç është e arsyeshme, janë: të evitohen gjakderdhjet dhe ndërhyrjet me forcë në këtë pronë private. Të dy bashkëshortëve u kërkohet vetëm të paguajnë taksat ose të bëjnë secili pesë vjet burg. Por çifti i çuditshëm as nuk e çon nëpër mend këtë. “Ne nuk paguajmë dhe nuk do të lëvizim që këtu”, - këmbëngulin ata. “Të bëjnë një hap para e të përdorin armët e tyre nëse guxojnë, kjo është shtëpia jonë dhe që këtu do të dalim vetëm të vdekur”. E duket se filmi i çuditshëm Western vazhdon. Për një grusht dollarë. Edhe pse në këtë rast duket se janë diçka më shumë se kaq.